Nxënësit e trajnuar nga PBCA krijojnë zgjidhje për monitorimin e cilësisë së ajrit të brendshëm dhe temperaturës nga distanca



Ndër rreziqet kryesore të shëndetit publik mjedisor konsiderohet ndotja e ajrit të brendshëm. Madje, sipas studimeve, një individ mesatarisht kalon rreth 90% të kohës së tij në ambiente të mbyllura. Kështu që ajri i dobët paraqet rrezik shëndetësor për qytetarët.

Po ashtu, aktivizimi dhe deaktivizimi i sistemit të ngrohjes nga largësia gjatë dimrit, si dhe i sistemit të ftohjes gjatë verës është më se e nevojshme për të pasur një jetë më të rehatshme.

Ky është problemi që i ka shqetësuar nxënësit e shkollës së mesme “Gjin Gazulli”, të cilët gjatë trajnimeve të mbajtura nga ligjëruesit e PBC Academy, në kuadër të projektit “Qendrat kreative në shkollat e mesme”, kanë krijuar sistemin e monitorimit të cilësisë së ajrit dhe kontrollimit të temperaturës nga distanca.

Ky sistemi i cili është i lidhur me internet, i mundëson përdoruesve të tij ta bëjnë këtë monitorim nga kudo dhe kurdo, duke e shndërruar shtëpinë në shtëpi të mençur. Sistemi monitoron këta parametra: temperaturën, lagështinë, grimcat e pluhurit, gazrat e rrezikshëm, hidrogjenin, alkoolin, tymin dhe monoksidin e karbonit.

Grupi krijues përbëhet nga nënësit: Mergita Alija, Joni Gashi, Kujtim Gjokaj, Narti Gashi, Olti Kelmendi dhe profesoresha Teuta Kosumi. Sipas tyre, ky projekt ka shënuar një periudhë të re të mësimit në shkollën e tyre.

“Me krijimin e Qendrës kreative në shkollën tonë ka filluar një periudhë e re e përdorimit të teknologjisë që do të shërbej për të ngjallë kureshtjen, kreativitetin dhe idetë e reja tek nxënësit tanë. Kjo u mundësua nga Ministria e Ekonomisë dhe PBC Academy, të cilat e pajisen shkollën tonë me teknologji të reja, si dhe ofruan trajnimin me ligjëruesin e shkëlqyeshëm prof. dr. Blerim Rexha” kanë deklaruar ata.

Mergita, ka ndarë përvojën e saj gjatë realizimit të këtij projekti, duke falënderuar ligjëruesit e PBC Academy për punën dhe përkushtimin e tyre.

“Meqenëse projekti ynë ka qenë jo i thjeshtë, kemi pasur nevojë për kohë për montimin e pjesëve dhe testimin e senzorëve. Por, në përgjithësi nuk ka qenë diçka e pakapshme për ne pjesëtarët e grupit, pasi qe kemi pasur edhe asistim nga mentorët”, ka thënë ajo.

Për cilësinë dhe zgjidhjen e ofruar, projekti i tyre është shpërblyer me vendin e parë dhe me 9,000 euro në kuadër të garës së zhvilluar në fund të projektit.