Nxënësit e trajnuar nga PBCA synojnë të shndërrojnë qytetin në qytet të gjelbër, përmes projektit “Green City”



Teknologjinë dhe dëshirën për një qytet me ambient të pastër e qytetarë të shëndetshëm, nxënësit e shkollës “Jonuz Zejnullahu” e kanë kombinuar duke sjell projektin “Green City”, projekt i cili është rezultat i punës së nxënësve pas trajnimeve të mbajtura nga ligjëruesit e PBC Academy.

Ky projekt që synon shndërrimin e qyteteve në të gjelbërta është realizuar nga nxënësit: Elina Maliqi, Arion Ferizi, Lirim Ahmeti, Drin Ferizi dhe Edonis Bislimi në bashkëpunim me profesoreshën Njomëz Bislimi Sylejmani.

“Trajnimet kanë qenë përfekte. Gjatë këtij projekti kam mësuar se puna në grup është e mirë dhe na ka ndihmuar të punojmë me pajisje elektronike për të kuptuar më shumë pjesën teorike” , ka thënë Drini.





Si do të funksiononte një qytet i tillë?


Siç nënkuptohet nga emërtimi, nxënësit e kanë paraparë që ai të posedojë shumë hapësira gjelbëruese, ku ujitja për këto hapësira do të realizohet nga sistemi automatik EKO. Ky sistem i ujitjes do të aktivizohej vetvetiu në rast thatësie dhe do të ndalej në mënyrë automatike sapo toka të merr sasinë e nevojshme të ujit, e cila matet me sensorët e lagështisë apo thatësisë të vendosur në vende te ndryshme në tokë.

Por, si do të duhej të ishte gjendja e qytetit për jetësimin e këtij projekti?

Supozojmë se në Kosovë ekziston një ligj apo rregullore që ndalon qarkullimin e makinave që ndotin ambientin, si dhe shfrytëzimin e drurëve dhe qymyrit për ngrohje. Kjo nuk do të thotë që do të ngrinim nga të ftohtit, sepse sipas nxënësve, për ngrohje do të mund të përdoreshin panelet solare.

Në hyrjet kryesore të këtij qyteti, sipas projektit, do të ketë kontroll/check in të makinave të cilat hyjnë në qytet, dhe nëse makina liron sasi më të madhe të ndotjes sesa ajo që është e lejuar me rregullore, ajo ose duhet të parkohet dhe qytetarët të hyjnë në mënyra tjera ose duhet të kthehet prapa. Në këto kontrolla hyrëse të qytetit duhet të qëndrojnë policët e gjelbër të qytetit.

Me rregullimin e çështjes ligjore, nxënësit e kanë paraparë që qytetarët të furnizohen me serra të mençura, të siguruara nga taksat e tyre, të cilat përdorin teknologjinë e zbatuar për vet ajrosje dhe vet ujitje. Me këtë projekt, nuk ka nevojë të jeni fizikisht për t’i kultivuar perimet tuaja. Eliminimi i qeseve të plastikës dhe pajisjeve të tjera të plastikës do të ndikonte në ruajtjen e ambientit.

Ndërsa, sipas projektit, buxheti për shpenzimet e pajisjeve teknologjike do të mund të sigurohej nga buxheti i komunës për shpenzimet e mbledhjes dhe asgjësimit të mbeturinave.





Ky projekt është shpërblyer me vendin e dytë dhe me 6,000 euro


Me këtë projekt nxënësit e kësaj shkolle kanë marrë pjesë në garën e organizuar në kuadër të projektit “Qendrat kreative në shkollat e mesme të Kosovës”, me ç’rast kanë garuar me një numër të madh të shkollave të mesme.

Mundi i tyre për idenë, realizimin dhe kreativitetin e treguar është shpërblyer me vendin e dyte në këtë garë dhe me një shumë prej 6,000 euro.

Ky projekt i implementuar nga PBC dhe i financuar nga Ministria e Ekonomisë mundësoi themelimin e 60 qendrave kreative, trajnimin e mbi 1,000 nxënësve në fushën e Teknologjisë së Inovacionit dhe Komunikimit, si dhe këshillimin e mbi 100 profesorëve të TIK-ut.