“FaceTimer” – projekti për menaxhimin e orëve të punës, i realizuar nga nxënësit e trajnuar nga PBCA



Mbikëqyrja e orëve të punës, si dhe hyrje/daljet e punonjësve tashmë nuk janë të domosdoshme të bëhen manualisht. Falë teknologjisë dhe, siç e thonë edhe vet ata, falë trajnimeve të mbajtura nga ligjëruesit e PBC Academy, nxnënësit e shkollës “Fehmi Lladrovci” kanë ofruar një zgjidhje inovative për këtë problem.

Ata kanë realizuar projektin “FaceTimer”, i cili mundëson që dyert e kompanive të hapen në mënyrë automatike për të gjithë punonjësit përmes identifikimit të fytyrës.

“Projekti lehtëson regjistrimin e hyrje/daljeve në objekt duke përdorur fytyrën e punëtorit si mjet dallimi, po ashtu përmes fytyrës bëhet e mundshme dallimi i punëtorit dhe hapja e derës në mënyrë automatike nëse është punëtor. Hyrjet dhe daljet regjistrohen në WEB dhe përdoren për të shfaqur intervalin kohor të pranisë së punëtorit në objekt”, thuhet në përshkrimin e projektit.

Grupi punues i projektit përbëhet nga nxënësit: Adem Mulaj, Edonis Mehmeti, Shqiprim Kiqina dhe Venis Morina, nën monitorimin e profesoreshës së tyre Shpresa Elshanit.

Shqiprimi ka thënë se projekti “FaceTimer” ka qenë shumë lehtë i realizueshëm, falë ekipit punues dhe ligjëruesve të PBC Academy.

“Trajnimet kanë qenë perfekte. Nga ky projekt kemi përfituar njohuri të shumta nga fusha e teknologjisë, respektivisht nga programimit. Falë trajnimit kemi marr njohuri edhe për gjërat të cilat kanë qenë të panjohura më parë për ne”, ka thënë Shqiprimi.



Projekti përmban dy pjesë kryesore: pjesën harduerike dhe web-in. Pjesa harduerike përdoret për kryerjen e punëve si dhe komunikimin në web API për regjistrimin e hyrjeve/daljeve. Web-i përdoret për menaxhimin e hyrjeve/daljeve të punëtoreve.

Për idenë, realizimin dhe kreativitetin e treguar, ky grup është shpërblyer me vendin e tretë dhe me një shumë prej 5,000 euro në garën e organizuar në kuadër të projektit “Qendrat kreative në shkollat e mesme të Kosovës”. Ky projekt, i implementuar nga PBC dhe i financuar nga Ministria e Ekonomisë, mundësoi themelimin e 60 qendrave kreative, trajnimin e mbi 1,000 nxënësve në fushën e Teknologjisë së Inovacionit dhe Komunikimit, si dhe këshillimin e mbi 100 profesorëve të TIK-ut.